Presidenti i SHBA-së, Barack Obama i ka bërë thirrje kongresit që të miratojë një fond për të financuar plotësisht përpjekjet që luftojnë përhapjen e virusit “Zika.”

Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm, Obama tha se i kishte kërkuar Kongresit në Shkurt, më shumë se 6 muaj më parë, që të miratonte financimin e plotë për “burimet e emergjencës”, që u nevojiten ekspertëve për të luftuar Zikën, por Kongresi e pati kundërshtuar këtë.

Sipas presidentit, në përpjekje kundër këtij virusi u përdorën fondet e caktuara për luftën kundër Ebolës, kancerit dhe sëmundjeve të tjera. Por kjo nuk është zgjidhja e duhur, tha ai. Obama i bëri thirrje Kongresit që me t’u kthyer pas pushimeve në fillim të Shtatorit, çështja e parë me të cilën ata duhet të merren janë fondet për Zikan, të cilën e cilësoi si një kërcënim./tvklan.al