Një oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror, denoncoi një kërcënim të mbërritur në derën e shtëpisë së tij, ku ai ka gjetur 7 fishekë luftarakë të futur në një qese formati A4. Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të dielës në një bllok pallatesh në rrugën “Jordan Misja”, në kryeqytet.

Menjëherë pas konstatimit të fishekëve, vetë oficeri i Shërbimit Inteligjent njoftoi policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimet. Ekspertët kriminalistë dhe hetues të Komisariatit Nr.3, të cilët kryen edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Fishekët janë dërguar në laborator për ekzaminimet e nevojshme. I pyetur nga hetuesit, oficeri i SHISH-it, ka pohuar se nuk ka pasur probleme apo konflikte gjatë kësaj kohe.

Specialistët e policisë po kryejnë këqyrjen e kamerave të sigurisë së zonës dhe kanë marrë deklarime të dëshmitarëve të ndryshëm për të identifikuar persona të dyshimtë që mund të kenë lëvizur në harkun kohor, kur mund të jenë hedhur fishekët.

Tv Klan