Lajmi se Arabia Saudite do të ndërmerrte një iniciative për ngritjen e Këshillit të Vajzave ishte inkurajues duke ditur se vendi nuk u jep atyre shumë akses në jetën publike.

Por, në ditën e parë të punimeve të Këshillit, që nisi në provincën Al-Qassim, ata kishin neglizhuar diçka: Gratë!

Fotot e shpërndara nga takimi tregonin 13 burra në podium dhe asnjë grua të vetme.

“BBC” thotë se gratë besohet të kenë qenë në një tjetër dhomë, të lidhura me video.

Fotot ku shfaqeshin vetëm burra kanë qarkulluar gjerësisht në median sociale, pas takimit të së Shtunës.

Madje, janë krahasuar me një tjetër foto të kthyer në “hit” në internet, ku Presidenti Donald Trump, i rrethuar vetëm nga burra nënshkruante ligjin për politikat e abortit, në muajin janar.

Iniciativa në Arabinë Saudite kryesohej nga Princi Faisal bin Mishal bin Saud, guvernatori i Provincës së Qassim-it, i cila tha: “Ne i shikojmë gratë si motra të burrave dhe ndjejmë përgjegjësi për të hapur shumë e më shumë mundësi që do t’u shërbejnë punëve të grave dhe vajzave.”

Ndërsa Këshilli i Vajzave kryesohej nga Princesha Abir bint Salman, bashkëshortja e Princit Faisal bin Mishal bin Saud, e cila nuk ishte pjesë e fotografisë.

Arabia Saudite, e cila njihet si një ndër shtetet më shtypëse ndaj lirive dhe të drejtave të grave, parashikon që të rrisë punësimin e grave nga 22 % në 30 % brenda vitit 2030. /tvklan.al