Gjysmë vëllai i dikatorit të Koresë së Veriut ka vdekur 20 minuta pasi u spërkat me një substancë helmuese në aerportin e Kuala Lampurit. Fillimisht ai ishte paralizuar në gjithë trupin nga gazi nervor.

Kim Jong-nam, gjysmë vëllai i dikatorit të Koresë së Veriut ka ndërruar jetë Brenda 20 minutave. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë së Malajzisë, Subramaniam Sathasivam. Doza me substancë helmuese e përbërë nga gazi nervor që vrau Kim Jong-nam me 13 shkurt në aeroportin e Kuala Lampurit, ishte shumë e lartë. “Fillimisht ka goditur zemrën, mushkëritë dhe më pas gjithë trupin”, thotë ministri. Më tej ai shpjegon se mjaftojnë vetëm 10 miligram të kësaj substance për të vrarë një persona. Sipas tij doza e përdorur kundër vëllait të diktatorit Kim Jong-un ishte shumë e lartë.

Ai shkoi pa ndjenja në klinikën e aeroportit dhe ndërroi jetë pas një paralize të rëndë. Në videon e regjistruar nga telekamerat e sigurisë shikohen dy femrat që spërkasin viktimën me substancën. Menjëherë ai dërgohet në klinikën që ndodhej Brenda aeroportit por vdiq përpara se të shkonte në spital.

Ndërkohë, dy femrat mbrohen duke thënë se mendonin që po merrnin pjesë në një rreng televiziv. Për autoritetet e Malajzisë prapa kësaj vrasje qëndron regjimi i Koresë së Veriut. 

Policia dhe agjentët e ambientit kanë kontrolluar aeroportin e Kuala Lampurit për shenja të tjera të gazit nervor. Pas mbikëqyrjes, autoritetet e cilësuan aeroportin të sigurt dhe pa ndonjë rrezik për udhëtarët./tvklan.al