komisioniiMe 13 vota pro dhe 1 kundër, Komisioni Kuvendor i Ligjeve miratoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për hetimin e veprimtarisë se dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur po nga Kuvendi Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj.

Vendimi erdhi pas kërkesës së 39 deputetëve të maxhorancës që kanë renditur 10 pika ku sipas tyre Çefa dhe Lelçaj kanë shkelur ligjin.

Por, për zv.kryetarin e KLD, Elvis Çefa, shkarkimi i tij është antikushtetues.

Elvis Çefa – Nënkryetar i KLD:

Jam njohur me kërkesën e shumicës në 19 shtator. Kërkesa për shkarkimin tim nuk ishte e papritur, ishte e pritur pas sulmeve mediatike ndaj KLD-së dhe ndaj personit tim, por edhe ndryshime në KLD. Kjo nismë vërteton se reforma në drejtësi synon largimin nga sistemi i personave të padëshiruar si unë”. 

Edhe anëtari Lulzim Lelçaj gjen shkelje në kërkesën e 39 deputetëve.

Lulzim Lelçaj – Anëtar i KLD:

Unë jam emëruar në KLD, 6 muaj pas vendimit për Shkollën e Magjistraturës. Kjo arsye do të mjaftonte që 39 firmëtarët të kërkonin falje ndaj meje. Uroj që komisioni hetimor që do të ngrini të jetë i suksesshëm. Keqardhje që po ecet kundër shtetit ligjor, po ecet në bazë të shijeve, por unë nuk kam pse të ndjek shijet e askujt, unë duhet të respektoj Kushtetutën”.

I vetmi deputet i opozites që morri pjesë në mbledhjen e Komisionit ishte Nard Ndoka, i cili edhe votoi kundër propozimit të shumicës.

Një ditë më parë edhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ndryshimin në ligjin për funksionimin e KLD-së që e detyron atë ta zgjedhë anëtarin nga anëtarët e propozuar nga Kuvendi.

Tv Klan