Kompania mëmë kineze e TikTok, “Byte Dance” ka deklaruar se nuk do ta shesë platformën pasi SHBA miratoi një ligj për ta detyruar atë të shesë aplikacionin jashtëzakonisht të përdorur, ose do të ndalohet në Amerikë.

“ByteDance nuk ka asnjë plan për të shitur TikTok”, shkroi kompania në llogarinë zyrtare në “Toutiao”, një platformë e mediave sociale që ajo zotëron.

Në fillim të kësaj jave, TikTok tha se do të kundërshtonte në gjykatë ligjin që e ka quajtur jokushtetues. Deklarata nga ByteDance erdhi si përgjigje ndaj një artikulli nga uebsajti i industrisë së teknologjisë The Information që thoshte se po eksploronte shitjen e mundshme të operacionit të TikTok në SHBA pa algoritmin që e fuqizon atë.

“Raportimet e mediave të huaja për shitjen e TikTok nga Byte Dance nuk janë të vërteta”, deklaroi kompania në postimin që përfshinte një pamjet e artikullit me shkronjat kineze ku thuhej “thashetheme të rreme”.

Projektligji për shitjen, ose në të kundërt ndalimin e TikTok në SHBA u nënshkrua të mërkurën nga presidenti i SHBA, Joe Biden.

Ligji i ri i jep ByteDance nëntë muaj për të shitur biznesin dhe një periudhë shtesë prej tre muajsh, përpara se të zbatohet një ndalim i mundshëm. Kjo do të thotë se afati i shitjes i vendosur nga SHBA, nëse ndodh, ka shumë të ngjarë të vijë diku në vitin 2025, pasi fituesi i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 të marrë detyrën.

Shtrëngimi i Pekinit ndaj kompanive private ka ngritur shqetësime në SHBA dhe vende të tjera perëndimore, se sa kontroll ka Partia Komuniste Kineze mbi ByteDance dhe të dhënat që ajo mban. Nga ana tjetër, TikTok ka mohuar vazhdimisht pretendimet se qeveria kineze ka kontroll mbi ByteDance./tvklan.al