Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit po zhvillojnë kontrolle të përbashkëta në gjithë territorin për mbrojtjen e mjedisit. Për të parë nga afër punën e tyre, gjatë inspektimit në fabrikën “Kurum” morën pjesë dy ministrat Taulant Balla dhe Mirala Kumbaro.

“Më vjen mirë të konstatoj bashkë me dy drejtoritë, që investimet e bëra të cilat duhet të vazhdojnë. Kanë garantuar pikë së pari një ulje dhe një kontroll të ndjeshëm të emetimit të gjithë gazrave, të cilat shkaktojnë ndotje. Është e largët dita për shembull para dhjetë viteve kur Elbasani për ata që ngjisnin Kërrabën e shikonin si tymi që ishte si një re e madhe dhe që ishte gjithmonë shqetësim për të gjithë banorët.”

Më tej, Balla tha se janë zgjidhur disa prej problemeve madhore që ka pasur Elbasani me ndotjen.

“Por duhet të bëjmë çdo përpjekje për ta përmirësuar dhe konsoliduar më tej këtë standard. Kryeministri ynë e thotë gjithmonë që progresin e arritur duhet ta bëjmë të pakthyeshëm, kështu që edhe në këtë aspekt sa i përket progresit të arritur nga kompania juaj do ta bëjmë të pakthyeshëm sepse nganjëherë ndodh që dikush ndez apo fik filtrat natën edhe punohet pa filtra natën për të ulur kostot, por kjo nuk duhet të ndodhi.”

Balla dhe Kumbaro, nga Elbasani i bënë thirrje sipërmarrjeve të vetë-ndërgjegjësohen dhe të investojnë duke aplikuar teknologjitë më të mira të standardeve evropiane.

Klan News