Atentati i kësaj jave i Kim Jong Nam, gjysmë vëllait të udhëheqësit të Koresë së Veriut, ka shtuar argumentet se Koreja e Veriut është një shtet mafioz që vepron jashtë kornizës ligjore, eliminon pa mëshirë armiqtë e saj dhe varet nga bizneset kriminale për mbijetesë.

Hetimet vazhdojnë

Të enjten policia në Malajzi arrestoi një grua të dytë, të pajisur me pasaportë indoneziane, që dyshohet për përfshirje në vrasjen e Kim Jong Nam këtë javë në aeroportin e Kuala Lumpurit. Një grua tjetër me pasaportë vietnameze ishte arrestuar të mërkurën në lidhje me rastin në fjalë.

Zyrtarët jug-koreanë thonë se dy agjente femra koreano-veriore e helmuan Kim Jong Nam në aeroport, duke e spërkatur në fytyrë, sipas njoftimeve, me një lëng të paidentifikuar dhe duke ia mbuluar fytyrën më pas me një copë. Kamerat e sigurisë në aeroport kanë regjistruar të dyshuarat në fjalë.

Një burim qeveritar në Malajzi konfirmoi për agjencinë e lajmeve Reuters se e dyshuara e ndaluar me pasaportë vietnameze ishte e njëjta grua që duket në kamerat e sigurisë, e cila mban të veshur një bluzë të bardhë me shkronjat “LOL” .

Autoritetet malajziane thuhet se i kanë kundërshtuar përpjekjet koreano-veriore për të mos kryer autopsinë e Kim Jong Nam-it.

Veprimtaria kriminale

Analistë që studiojnë Korenë e Veriut e kanë karakterizuar regjimin e atij vendi si tërësisht të korruptuar, që vepron si një organizatë kriminale e drejtuar nga familja e diktatorit që shkel ligjet ndërkombëtare, që është e përfshirë në trafikim dhe shitje armësh, përfshi lëndë të ndaluara bërthamore, apo pjesë për raketa, e përfshirë në trafikun e drogës, falsifikimin e monedhave dhe e gjithë kjo bëhet për përfitime financiare për elitën sundimtare të atij vendi.

Në vitin 2012 Kombet e Bashkuara ndaluan një anije kineze të nisur drejt Sirisë e cila kishte në bord pjesë speciale cilindrike të prodhuar në Korenë e Veriut që mund të përdoreshin për ndërtimin e raketave balistike.

Në vitin 2005 një zyrtar nga Irlanda u arrestua për shpërndarje monedhash 100 dollarësh të falsifikuara të prodhuara nga Korea e Veriut. Ndërsa në vitin 2016 një britanik u dënua me 15 vjet burg për konspiracion lidhur me importimin e 100 kilogramëve lëndë narkotike koreano-veriore drejt Shteteve të Bashkuara.

Aktivitetet e paligjshme të Koresë së Veriut e ndihmojnë regjimin e atij vendit që të shmangë sanksionet ekonomike ndërkombëtare që iu vunë për shkak të përpjekjeve për të prodhuar armë bërthamore dhe raketa balistike që bien ndesh me vendimet e Kombeve të Bashkuara.

Ndaj edhe urdhri për vrasjen e Kim Jong Namit, një kritik, që mendohej të ishte edhe rival, edhe pse me lidhje gjaku, nuk është e pazakontë për udhëheqjen koreano-veriore, e cila vepron në bazë të mentalitetit mafioz, thotë Robert Kelly me Universitetin Kombëtar Pusan.