Odhise Andrea, bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, i akuzuar për korrupsion në vlerën e 50 mijë eurove për të ndikuar në një proces për çështje pronësi, është paraqitur në Gjykatën e Lartë për verifikimin e masës së sigurisë.

Togat e zeza, me argumetin se i pandehuri nuk mund të prishë dhe ndikojë provat, ndryshuan masën e sigurisë nga arrest me burg, në arrest shtëpie.

53 – vjeçari, para togave të zeza ka dhënë një tjetër version të historisë, për të cilën u arrestua. Sipas tij, paratë ai i ka marrë nga sekseri Petraq Dashi, i afërm i gruas së tij, për një çështje biznesi. Paratë do të përdoreshin për blerjen e disa makinerive, të cilat do përdoreshin në biznesin e mermerit.

Andrea ka sqaruar para gjykatës edhe momentin kur mori vesh që po vëzhgohej nga policia dhe hetohej nga prokurori. Ai tha se një afërm i tij në autogril në Fier i kishte thënë se ndaj tij ishte regjistruar një procedim penal.

53 – vjeçari tha se largimi i tij drejt Italisë në 15 Korrik 2016 ishte i planifikuar dhe jo një arrati. Gjithashtu Andrea sqaroi se zgjodhi mënyrën e vetëdorëzimit në Policinë Shqiptare, 6 muaj pas shpalljes në kërkim, për të shmangur procedurat e ekstradimit.

Para Kolegjit Penal as Odhise Andrea dhe as avokati i tij nuk shpjeguan mënyrën si ka hyrë në territorin shqiptar. Edhe në përfundim të seancës, ata nuk pranuan të japin një koment për këtë çështje.

Policia ka nisur një hetim për kalim të paligjshëm të kufirit.

Tv Klan