Pritjet ishin që në atë takim të votohej për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Sipas burimeve diplomatike të disa vendeve të Këshillit të Evropës, janë disa shtete, të cilat preferojnë që Kosova të mos jetë fare në agjendë, sesa të marrë votë negative. Paraprakisht, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës.

Franca dhe Gjermania e kushtëzuan e anëtarësimit të Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, duke thënë se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e jo me Këshillin e Evropës.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se “ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës”.

Që Kosova të bëhet anëtare e organizatës më të madhe në kontinent për të drejtat e njeriut, pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare. REL-i po përpiqet të marrë informacione direkt nga Këshilli i Evropës në lidhje me këtë çështje.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk do ta ketë në agjendë çështjen e Kosovës, kanë konfirmuar nga KiE. Komiteti mblidhet javën e ardhshme dhe aty pritej që pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE të shkonte në duart e Ministrave të Jashtëm të Këshillit që do të vendosnin përfundimisht nëse Kosova do të bëhej anëtarja më e re e organizatës.

“Në këtë moment, Kosova nuk është në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë, por do t’ju njoftojmë për zhvillimet”, kanë thënë nga Këshilli i Evropës për KOHËN.

Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk pranon që këto dy çështje të lidhen me njëra-tjetrën.

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur absurd kushtëzimin e të dyja shteteve që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Ambasadori italian në Beograd, Luca Gori ka thënë se ende nuk ka ardhur koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës duke theksuar se për një gjë të tillë është i domosdoshëm përparimi thelbësor në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky është qëndrimi që ka mbajtur Italia së bashku me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe këtë po përpiqemi ta arrijmë në Strasburg”, tha Gori për Tanjug në lidhje me kërkesën për shtyrjen e vendimit të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës.

Ai shtoi se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma beson se Asociacioni është element kyç për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj jemi të bindur se nëse nuk ka progres substancial në lidhje me këtë qëllim, nuk është koha e duhur për t’u marrë me apo për ta vënë në agjendë çështjen e kandidaturës së Kosovës për Këshillin e Europës”, ​​tha ambasadori italian.

I pyetur për hapat që po i ndërmerr Italia për ta shtyrë anëtarësimin e Kosovës në KiE, ai tha se tashmë janë ndërmarrë hapa në Strasburg në koordinim me vendet e tjera anëtare të BE-së.

“Ne po mundohemi t’i inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të bëjnë përparim në çështjen e Asociacionit, por deri më tani nuk kemi parë ndonjë përparim”, tha Gori dhe ritheksoi se qëndrimi i Italisë është se nuk është ende momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Franca u ka kërkuar shteteve anëtare shtyrjen e vendimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës për shkak të mos përmbushjes së detyrimit për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Takimi i ministrave të jashtëm, që duhet të marrin vendimin përfundimtar për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i planifikuar më 16 dhe 17 maj.

Edhe Gjermania mban qëndrimin se qeveria e Kurtit duhet të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me Asociacionin për te perfituar anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë qasje nuk e ka përkrahur Britania e Madhe, e cila mendon se çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Presidenti francez i ka bërë thirrje Kurtit për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit./REL