Dosja do të rishikohet pas shkeljeve të gjetura nga Strasburgu

Vendimi i shkarkimit të Antoneta Sevdarit nga detyra si prokurore në vitin 2019 si pasojë e procesit të vetingut do të rishikohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në datën 17 Prill.

Në një seancë të zhvilluar këtë të hënë trupa e gjyqtarëve të KPA, vendosi të pranojë kërkesën e Sevdarit, e cila iu drejtua atyre pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Strasburgut.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e gjeti vendimin e shkarkimit të Sevdarit si në disproporcion me qëllimin që kishte ligji për vetingun.

Të njëjtin qëndrim për këtë vendim më herët kishin mbajtur edhe vëzhguesit ndërkombëtar të procesit të vetingut në Shqipëri.

Ky do të jetë vendimi i parë i dhënë nga organet që kontrolluan prokurorët dhe gjyqtarët për pastërinë e figurës, aftësitë profesionale dhe pasurinë që do të rishikohet.

Më herët Strasburgu i ka sugjeruar Shqipërisë të rishikojë edhe vendimin e një tjetër ish-prokurori.

Po kjo gjykatë në vendimet e saj ka sqaruar se ato nuk kanë lidhje me procesin e vetingut në total, por janë përjashtimore, teksa më herët ka rrëzuar ankime të dy subjekteve të tjera të shkarkuara.

Tv Klan