Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Shkalla e Dytë e Vettingut përjashtoi nga sistemi i drejtësisë Alfred Ballën, kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i njohur ndryshe si qeveria e prokurorëve.

Sipas këtij vendimi, Balla në 15 vitet e ardhshme nuk mund të marrë asnjë detyrë në sistem, pasi është larguar prej tij me dorëheqje në vitin 2017 në kohën kur ka qenë këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë, pas miratimit të paketës së reformës në drejtësi.

Por në Nëntor të 2018-ës ai u bë fillimisht anëtar i KLP-së si përfaqësues i shoqërisë civile i zgjedhur nga Kuvendi dhe në Mars të 2022 mori drejtimin e këtij institucioni. Por Vettingu i tij hyri në një ngërç.

Shkalla e Parë e ndërpreu procesin, duke mos marrë asnjë vendim për të. Kjo u ankimua nga Komisioneri Publik, institucioni që kontrollon vendimmarrjet e procesit të vettingut.

Komisioneri u tha anëtarëve të KPA-se se vendimi i Shkallës së Parë për ndërprerjen e procesit ishte i saktë, por njëkohësisht duhet t’i kishte ndërprerë atij edhe të drejtën për të qenë prokuror, gjyqtar apo në çdo funksion tjetër në drejtësi për 15 vite.

Ky qëndrim u kundërshtua nga Balla dhe avokatja e tij gjatë shqyrtimit të çështjes, por nuk u mor parasysh nga KPA. Pas vendimit, Balla e quajti atë të turpshëm dhe njoftoi se do ta dërgojë çështjen në Strasburg.

Tv Klan