45 vite më parë, 5 nga familjarët e Kelit humbën jetën për shkak të tërmetit të prillit 1979 në Shkodër. Mes tyre ishin edhe gruaja e dy djemtë, 4 vjeç dhe 8-muajsh. Në rrëfimin që ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan Keli foli për dhimbjen, ndjesinë e fajit dhe mendimin se për të nuk do të kishte një rrugë tjetër.

Me këmbënguljen e familjarëve e të afërmve, ai kërkoi sërish dikë për të ndarë jetën. Fati e takoi me Rexhinën që gjithashtu e njihte dhimbjen e humbjes së një të afërmi pasi vëllai i saj kishte ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare nga një aksident.

Nga ai moment, jeta e të dyve ndryshoi edhe pse dhimbja mbetej gjithnjë e pranishme. Për ta lehtësuar disi, Keli pati njëë kërkesë për Rexhinën që ajo s’ngurroi t’ia plotësonte.

Keli: U bashkuam,  filluam jetën me Rexhinën,  jashtëzakonisht mirë. Unë kisha shumë raste që më shkonte mendja, më kujtoheshin ata, s’harrohen, janë 40 e ca vjet dhe akoma sot i kam në mendje, më kujtohen si atë ditë. Çfarë ka bërë Rexhina për mua nuk e bën kush. Ajo më është gjendur në çdo orë,  në çdo minutë gjithmonë afër. Më ka përkëdhelur, më ka përshëndetur, më ka hequr mërzinë, më ka folur fjalët më të mira. Më ka dashur, më ka respektuar, s’më ka rënë kurrë ndesh.

Ardit Gjebrea: Ia kujtoje Rexhinës familjen tënde, flisje për këtë gjë apo preferove që mos ta përmendësh më?

Keli: Dashje, pa dashje mua më kujtohej sa herë. Mundohesha mos ta kujtoja shumë, por sido të ishte mua më thoshte zemra sa herë, më dilnin lot,  më merrte malli dhe e kam patur gjithnjë afër, krah i dajthtë gjithmonë.

Ardit Gjebrea: Krijove familje me Rexhinën? 

Keli: Po, Rexhina, përveçse ai Zot i madh bëri mrekulli e më nxori mua një njeri si Rexhinën, më dhruoi edhe një familje të dytë, më dhuroi dy fëmijë, dy djem ashtu siç i kisha pasur përpara.

Ardit Gjebrea: Në momentin që lindi djali i parë, të shkoi mendja që t’i vendosje një nga emrat e dy djemve?

Keli: Po, edhe kjo ka ndodhur. Kur lindi djali i parë, me thënë të drejtën, pak me vështirësi por vendosa t’i bie në qafë Rexhinës, t’i lutesha, a ka mundësi,a të vjen keq t’ia vë emrin se kam dëshirë t’ia vë emrin të paktën njërit? Ajo me gjithë qejf e dha mendimin e saj dhe ua vumë emrin atij të madhit emrin atë ditë dhe Rexhina s’pati asnjë të keqe me mua./tvklan.al