Në ditën e parë të vitit të ri shkollor kryeministri Berisha ka zgjedhur shkollën e mesme, Myslym Keta, në Kombinat për të përcjellë urimin e tij për stafin pedagogjik edhe nxënësit.

Sali Berisha: “Mbi 141 shkolla janë ndërtuar në këto tre vjet. Mbi 459 të tjera u rikonstruktuan. Buxheti për arsimin po shkon drejt dyfishimit”.

Duke folur për investimet në arsim për të cilat tha se do të mbeten prioriteti i qeverisë, kryeministri ka shigjetuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të cilin e ka kritikuar për mosrealizim të projekteve për ndërtim dhe rikonstruksion shkollash”.

Sali Berisha: “Për qytetin e Tiranës qeveria që unë drejtoj ka marrë një kredi dhe ka vendosur nga buxheti së bashku 2.2 miliard lekë. Nga shtatë shkolla të reja që duhet të ishin ndërtuar janë vetëm dy apo tre. Nga 12 të rikonstruktuara janë vetëm gjysma, ndaj dhe duke kërcënuar kështu edhe me djegien e fondeve, ndaj dhe dua t’i them këtu ta marrë me seriozitetin më të madh çështjen e arsimit.”

Gjatë vizitës në ambientet e brendshme të shkollës, “Myslym Keta”, Berisha kërkon që kabinetet e saj, informatikës apo dhe biblioteka, të vihen dhe në dispozicion edhe për komunitetin e banorëve të zonës.

Nga ana tjetër kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka zgjedhur një shkollë të re në Yzberisht për të përcjellë urimin e tij për këtë vit shkollor.

Edi Rama: “Ne këtë vit i presim në mjedise jashtëzakonisht të përshtatshme, me kushte jashtëzakonisht të mira dhe që padyshim do të jenë kushte që do të bëhen të zakonshme. Dua gjithashtu t’i uroj gëzuar, sukses dhe përkushtim sa më të madh mësuesve dhe mësueseve që bëjnë kaq shumë për këta fëmijë. Gëzuar!”/tvklan.al