Futbollistet e Kombëtares janë ende të emocionuara për kalimin në fazën kualifikuese të Botërorit. Fitorja me Greqinë bëri që Shqipëria të shpresojë për më shumë në ardhmen.

Qëndresa Krasniqi (Futbolliste e Kombëtares së femrave)

“Këtë fitore e kemi arritur me shumë përkushtim, disiplinë dhe punë. Besoj se do të zhvillojmë edhe ndeshje të tjera më të mira”.

Kombëtarja e drejtuar nga Armir Grima arriti objektivin e vendosur me një lojë të bukur. Kapitenia e ekipit Albina Rrahmani, një nga veteranet e skuadrës dallon përmirësimin e lojës te vajzat kuqezi.

Albina Rrahmani (Kapitene e Kombëtares së femrave)

“Kemi ngritur nivelin e lojës dhe të futbollisteve. Po zhvillojmë një lojë të bukur me më shumë kualitet”.

Shqipëria merr pjesë në turnetë zyrtarë prej vitit 2013, por pa arritur të kualifikohet në një fazë finale, një objektiv tepër i vështirë. Shorti i 25 prillit do të përcaktojë kundërshtarët e fazës kualifikuese ku sërish vendi i parë në grup siguron pjesëmarrjen direkt në finalet që do të mbahen në Francë në 2019.

Tv Klan