Bardheblutë shkarkojnë trajnerin Egbo

Tirana u eliminua nga Kupa e Shqipërisë. Për bardheblutë konsiderohet një disfatë absurde, por merita i shkon plotësisht Korabit që luajti me 10 lojtarë që prej minutës së 62-të. Koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola. Në shtesa pikërisht në minutën e 119, Skuka realizoi për dibranët.

Eliminimi i kushtoi postin e trajnerit Emanuel Egbo. Në një njoftim të klubit bardheblu thuhet se shkak u bë ecuria jo e mirë e skuadrës në ndeshjet e fundit, por nënvizon se nigeriani do të jetë sërish pjesë e stafit.

Përveç Tiranës, skuadrat e tjera të mëdha të Superligës u kualifikuan për në çerekfinalet e Kupës. Partizani fitoi minimalisht me Apoloninë. Goli u shënua nga Brown në minutën e 19. Teuta nuk e pati të vështirë me Kastriotin që e mundi 5-0 në ndeshjen e luajtur në Durrës. Skënderbeu kaloi turin pas fitores 3-0 me Pogradecin.

Me pak vështirësi Kukësi siguroi kualifikimin ndaj Besës. Veriorët nuk u drejtuan nga trajneri Gega i cili rezulton pozitiv me Covid-19. Në shtesa është kualifikuar edhe Dinamo pasi koha e rregullt me Bylisin përfundoi 1-1.

Tv Klan