PDK: Arsyet lidhen me zgjedhjet e ardhshme

Opozita në Kosovë kërkon që drafti i Asociacionit para se të nisë të zbatohet duhet të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, qeveria e ka detyrim që ta çojë këtë draft për vlerësim në Kushtetuese, pasi bëhet fjalë për një akt që buron nga një marrëveshje ndërkombëtare.

“Jo duhet, por qeveria e ka obligim”, tha Haliti.

Më tej Haliti akuzon kryeministrin Albin Kurti se po vonon publikimin dhe dërgimin e draftit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese për arsye që lidhen me zgjedhjet e ardhshme.

“Ky vit është vit elektoral që kemi hyrë dhe po besoj që qëllimi i tij është që deri në fushatën zgjedhorë të mos ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me çështjen e Asociacionit pra ai po e vonon dërgimin e këtij statuti në gjykatën Kushtetuese për të mos pasur mundësi që Gjykata Kushtetuese me dhënë mendim para se të përfundojnë zgjedhje”, u shpreh ai.

Hezitimi i qeverisë për ta çuar draftin në Kushtetuese vjen në një kohë kur faktori ndërkombëtar ka paralajmëruar se do të rrisë presionin ndaj Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, ku bën pjesë edhe asociacioni.

Tv Klan