Ish-deputeti i Partisë Socialiste Eduart Ndocaj ka reaguar pas lajmit të publikuar në media në lidhje me shoqërimin nga policia dhe procedimin penal në gjendje të lirë ndaj tij.

Në një postim në Facebook, Ndocaj shkruan se nuk është ndaluar dhe nuk ka asnjë urdhër-arresti ndaj tij. Ndërsa ka sqaruar se së shpejti do të ketë një deklaratë për këtë çështje. Ndocaj akuzon mediat që të verifikojnë lajmin para se ta publikojnë.

“Nuk ka asnjë ndalesë apo arrest për ish-deputetin Eduart Ndocaj. Kjo foto është live nga trageti që po udhëton drejt Italisë. Sa i përket çështjes në fjalë, së shpejti do të publikojmë një deklaratë nga avokati i tij në Shqipëri. Mediat është mirë të bëjnë verifikime para se të nxjerrin lajmin. Kjo është abc e gazetarisë serioze”,

thotë Ndocaj në Facebook.

Zyrtarisht sipas policisë, ish-deputeti i Partisë Socialiste Eduart Ndocaj rezulton se është ndaluar ditën e djeshme në Portin e Durrësit pas denoncimit nga një shtetas italian. Ky i fundit e ka kallëzuar në Policinë e Lezhës dhe pretendon se i ka marrë një shumë parash përmes mashtrimit. Pas verifikimit në komisariat, Eduart Ndocaj u lirua dhe po hetohet në gjendje të lirë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë.

Gjithashtu, në faqen e Policisë së Shtetit është publikuar komunikata ditore, ku deklarohet se Eduart Ndocaj u ndalua pasi ishte shpallur në kërkim.

Komunikata zyrtare e Policisë së Shtetit:

“Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian nje shume eurosh. Ne perfundim te veprimeve  te kryera nga D.V.P Lezhe ndaj shtetasit E.N u referuan materialet ne Prokurori dhe ndiqet ne gjendje te lire per vepren penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”.

 

/tvklan.al