Ministria e Turizmit dhe Mjedisit propozon lehtësimin e procedurave për certifikimin e operatorëve që ushtrojnë veprimtari ujore për qëllime turistike duke hequr disa barriera.

Në projektligjin e hedhur për konsultim publik, përcaktohet se operatorët e turizmit detar, pra subjektet që ushtrojnë aktivitete si sporte ujore, lundrim për zbavitje, peshkim turistik, zhytje çlodhëse, do t’i hiqet detyrimi për t’u pajisur fillimisht me licencën e Operatorit Turistik.

Me ndryshimet e propozuara subjektet e turizmit detar do të kenë detyrim vetëm certifikimin.

“Licencimi në radhë të parë si Operator Turistik, mbingarkon subjektet me procedura dhe kritere,  plotësimi i të cilave  nuk është domosdoshmëri për të ushtruar një nga aktivitetet e turizmit detar.”

Por në relacion theksohet se heqja e një kriteri të tillë nuk ka asnjë ndikim në garantimin e sigurisë për ushtrimin e veprimtarisë së operatorëve të turizmit detar.

“Ndryshimet e propozuara synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit detar, duke mos cenuar cilësinë dhe standardet e ofrimit të shërbimit si dhe sigurinë e turistëve.”

Për të garantuar një turizëm të sigurt, çdo subjekt që ushton veprimtari ujore ka detyrimin të certifikohet duke përmbushur disa kritere të mirëpërcaktuara.

Tv Klan