Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar me një letër Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile ku i ka shtruar një sërë pyetjesh në lidhje me listat e zgjedhësve.

KQZ-ja kërkon të dijë se në cilën datë është nxjerrë ekstrakti i popullsisë dhe çfarë kriteri është përdorur për hartimin e ekstraktit të popullsisë për çdo qark.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon të dijë nëse ekziston mundësia që zgjedhësittë jenë në listat e një qarku për efekt zgjedhjesh dhe njëkohësisht edhe në ekstraktin e një qarku tjetër.

KQZ kërkon të vihet në dispozicion lista e zgjedhësve për efekt auditimi.

Një ndër pyetjet kryesore është nëse ka pasur ndryshim të regjistrit të gjendjes civile të personave nga një njësi vendore ose tjetër pa kërkesë ose vetëdeklarim të  këtij personi.

“Një shtetas me adresë banimi në një njësi vendore të caktuar, të ndryshme nga ajo ku ka regjjistrin e gjendjes civile, ku duhet të aplikojë dhe të marrë letërnjoftimin e ri kur është rasti? Sa janë shtesat dhe pakësimet e shtetasve në regjistrin e gjendjes civile të Qarkut Gjirokastër, qarkut Dibër  dhe qarrkut Tiranë për çdo muaj, për periudhën nga 1 Shtator  2017  deri në 27 Nëntor 2020?”/tvklan.al