Edhe zyrtarisht, Lorik Cana është tashmë larg futbollit.

Ish – kapiteni i Kombëtares e bëri këtë pikërisht në ndeshjen ndaj Italisë në “Loro Boriçi”, në një ceremoni të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ish – mbrojtësi i qendrës mori një çmim të karrierës nga duart e presidentit Armand Duka, ndërsa mbante në krahë djalin e tij, Bojken.

Më pas, u drejtua tek tifozët të cilët e brohoritën fuqishëm, ndërsa kishin hapur në tribunë një fanelë të madhe me numrin 5, pikërisht numrin që mbante në shpinë Cana.

Shqiptari i Kosovës, lindur në Prishtinë 34 vjet më parë, debutoi në ekipin përfaqësues në 2003, duke luajtur 93 ndeshje e duke shënuar një gol. Ai njihet si njeriu që ndikoi më shumë në afrimin e lojtarëve nga Kosova në kombëtare, duke qenë vazhdimisht me parimin “një komb, një kombëtare”.

Cana luajti vitet e fundit të karrierës në Itali me Lacion dhe u martua me një vajzë italiane. Ndoshta këto kanë qenë arsyet që zgjodhi ta jepte lamtumirën pikërisht ndaj të Kaltërve./ABC News