Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Filozofia e lashtë e artit të dashurisë, Kamasutra është paraqitur në një performancë të artistes Lumturi Blloshmi në Galerinë Kombëtare të Arteve. Por ndryshe nga libri i famshëm indian, i cili vë në qendër të tij njeriun dhe dëshirat e tij erotike, për Lumturi Blloshmin, gjithçka ka nisur në tiganin e kuzhinës, ku bretkosat janë bërë ngacmimi i parë për artin e seksit.

Kamasutra, filozofia e lashtë e cila finalizohet në aktin seksual, ka marrë formë në performancën e një darke të shoqëruar me fotografi të bretkosave të realizuar nga Blloshmi. Nëpërmjet vendosjes së bretkosave në pjatat e saj, artistja ka ngjallur fantazinë e të ftuarve, duke shkaktuar një lloj eksitimi të mbushur me debat, keqkuptime dhe tabu.

“Në përgjithësi, tabutë krijohen nga keqkuptimi dhe nga mospranimi. Në rastin konkret është fjala për tabunë e seksit dhe asociimi bëhet me emrin e Kamasutrës, ose me librin e Kamasutrës. Është një material, i cili në përgjithësi ngjall reagime të menjëhershme tek njerëzit, por reagime totalisht të keqkuptuara. Kur bëhet fjalë për Kamasutrën, gjithkush e lidh menjëherë me diçka perverse, madje pornografike. Ndërkohë që Kamasutra është një filozofi e tërë dhe është një kulturë shumë e lashtë dhe është më tepër një mënyrë të jetuari, e cila finalizohet në aktin seksual”.

Në fakt shumë pak kanë qenë personazhe të cilët kanë pranuar të ulen në tavolinën e mbushur me kulinari erotike. Miqtë e kanë braktisur shumë shpejtë ekspozitën e Blloshmit edhe pse shumica e tyre ishin artistë, shkrimtarë dhe intelektualë. Keqkuptimet dhe tabutë duket se do të ekzistojnë ende për shumë kohë në shoqërinë shqiptare./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora