Manifestimet kundër armëve mblodhën dhjetëra mijëra të rinj në Uashington e shumë qytete të Shteteve të Bashkuara. Manifestime që sipas mediave amerikane, vendi nuk i kishte parë prej luftës së Vietnamit.

Nën moton “Marshim për jetët tona”, studentë e nxënës të shkollave të mesme përcollën mesazhin për politika të rrepta kundër përdorimit masiv të armëve të zjarrit.

Manifestimet kishin në qendër sulmin me armë të 14-Shkurtit në një shkollë të mesme të Floridas, ku 19-vjeçari Nikolas Kruz vrau 17 nxënës e mësues. Një ndër aktivistet kundër armëve, nxënëse e shkollës së tragjedisë mbajti një fjalim emocional 6 minutësh, e barabartë me kohëzgjatjen e tragjedisë. Por 5 minutat e fjalës së saj ishin heshtje në nderim të viktimave.

Një tjetër mesazh i fortë erdhi nga një nxënëse nga Los Angeles.

“Gjithë jetën time kam jetuar në jug të Los Angeles. Kam humbur shumë njerëz të dashur prej armëve. Kjo është bërë normale, deri në atë pikë sa përpara se të mësoj të shkruaj kam mësuar t’u shmangem plumbave”.

Studentët i përcollën presidentit Trump edhe mesazhin se janë kundër vendimit për të armatosur mësuesit. Sipas tyre, ky vendim nuk i shmang tragjeditë por thellon numrin e viktimave.

Tv Klan