Kryeministri Zoran Zaev u ka dhënë disa propozime Lëvizjes Besa dhe PDSH-së për disa poste ministrore dhe zëvendës ministrash, por BESA dhe PDSH ende po studiojnë nëse këto propozime mjaftojnë dhe janë të përshtatshme me kërkesat e tyre.

 Televizioni Shenja jozyrtarisht mëson se Zaev do të takohet edhe një herë me Afrim Gashin për ta pyetur lidhur me vendimin e kryesisë qëndrore e cila do të mblidhet nesër në mbrëmje. Edhe pse Zaev jozyrtarisht i ka propozuar Lëvizjes BESA postin e ministrit të Ekologjisë, nga burime brendapartiake Besa insiston ta drejtojë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Pasi që të finalizohen bisedimet për postet ministrore dhe të zëvendës-ministrave, do të vijojë etapa e dytë e emërimit të drejtorëve nëpër institucione të ndryshme për të cilat janë marrë vesh partnerët eventual të koalicionit qeverisës. Disa portale kanë shkruar se Zaev i ka ofruar BESËS postin e zv/kryeministrit për reforma, ndërsa PDSH-së një post të ministrit pa portofol. Por nga ana tjetër është spekuluar se në lojë është edhe Ministria e Kulturës, që ti jepet Lëvizjes BESA.

 Kryeministri Zoran Zaev gjatë fundjavës theksoi se ndarja e resoreve po bëhet me shumë kujdes pasi që bëhet fjalë për poste tejet serioze për të cilat duhet shqyrtuar mirë kuadrot që do t’i drejtojnë. /INA