Besimtarët myslimanë të Maqedonisë që në orët e hershme të mëngjesit vërshuan xhamitë për të falur fillimisht namazin e sabahut dhe më pastaj atë të Kurban Bajramit.

Manifestimi qendror nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI) u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, ku përveç numrit të madh të besimtarëve, të pranishëm ishin edhe kryeministri Zoran Zaev dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Në hytben e Bajramit të cilën në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi një nxënës i medresesë “Isa Beu” në Shkup, theksi u vendos te paqja dhe harmonia në këtë ditë festive.

Ju ftoj t’i gëzoheni kësaj feste, kësaj dite e cila shënon vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të sakrifikuar në emër të krijuesit tonë, Allahut fuqiplotë

”, u tha mes të tjerash në mesazhin e Rexhepi.

Kryeparlamentari Xhaferi në urimin e tij në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i uroi të gjithë besimtarëve myslimanë festën e  Kurban Bajramin duke shpresuar se edhe Bajrami i ardhshëm do t’i gjejë të bashkuar në rrugën e drejtë dhe në rrugën e Zotit.

Kryeministri Zoran Zaev i pranishëm në xhaminë qendrore në Shkup, tha se veçoritë e Kurban Bajramit si një festë e solidaritetit, familjes dhe ndihmës së ndërsjellë, e bëjnë këtë festë të madhe.

Pikërisht nga respekti për këtë festë të madhe, jam këtu pranë jush, me besimtarët në mënyrë që ta zgjerojmë edhe më tutje bukurinë e tij. Unë besoj se në shpirtin e humanizmit dhe miqësisë do të qëndrojmë të bashkuar dhe si të tillë ta ndërtojmë Republikën e Maqedonisë si një shoqëri për të gjithë

”, tha kryeministri Zaev./Alsat-M