Hasani: Fjala e fundit i takon komisionit për sëmundje ngjitëse

Në Maqedoninë e Veriut, për të tretën javë me radhë, ISHP-ja njofton për rënie të numrit të infektimeve të reja dhe të vdekjeve. Në raportin e fundit, rastet e reja me Covid-19, në krahasim me javën paraprake, janë ulur për 30.9% kurse vdekjet për 27.9%.

Situata stabile epidemiologjike ka detyruar autoritetet e shëndetësisë të mendojnë për zbutjen e masave antiCovid. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe paralajmëroi se lokalet mund t`i kthehen orarit të vjetër të punës, deri ora 21:00, por gjithçka do të varet nga situata në terren dhe sa do të respektohen masat gjatë festave të Krishtlindjes ortodokse.

Në këtë vijë është edhe zv/ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani. Sipas tij, fjalën e fundit do ta ketë Komisioni për Sëmundje Ngjitëse.

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njoftojnë për ulje të presionit edhe ndaj sistemit shëndetësor. Nëpër covid-spitalet e vendit trajtohen rreth 900 pacientë kurse raportohet për 500 shtretër të lirë.

Klan Macedonia