E hëna është afati i fundit për parlamentin e Maqedonisë që të shpallë zgjedhjet lokale.

Kodi zgjedhor thotë se data e zgjedhjeve lokale, e cila është 14 maji i këtij viti, duhet të shpallet 70 ditë përpara kësaj date. Por, mbledhja e parlamentit është në pikëpyetje përsa kohë nuk është formuar qeveria.

Presidenti Ivanov mori një ultimatum të prerë nga shefja e Politikës së Jashtme Federica Mogherini, që brenda të hënës të mandatojë liderin e opozitës Zoran Zaevin për krijimin e qeverisë së re.

Përpara këtij ngërçi situata ne Maqedoni vijon të jetë e paqartë, ndërsa tensionet nuk janë qetësuar përsa kohë që nga presidenti Ivanov dhe kreu i VMRO-se, Nikolla Gruevski, platforma e partive shqiptare të maqedonisë është konsideruar si shkelje e sovranitetit.

Opozita këmbëngul që zgjidhjen ta kërkojë përmes Kushtetuetës, ndërsa Nikolla Gruevski, i VMRO-së e sheh normalizimin e situatës përmes zgjedhjeve të parakohshme.  

Por, analistët thonë se një betejë e re elektorale do të rriste retorikën nacionaliste dhe mund të çonte vendin në konfrontime të panevojshme. /Tv Klan