Rezultatet, brenda 20 minutave

Sasia e parë prej 13 mijë testeve të shpejta do të shpërndahet nëpër pikat për testim për prani të virusit korona në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në periudhën që vjen pritet furnizim edhe me rreth 100 mijë doza.

Me këtë pritet të shkurtohet koha e pritjes së rezultateve, të cilat pas testimeve të shpejta merren pas 15 minutave, do të përshpejtohet dhënia e terapisë për personat e infektuar dhe do të ulet mundësia që të sëmurët të lajmërohen vonë në klinikat infektive në qoftë se gjendja e tyre përkeqësohet.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, shpreh bindjen se askush nuk është kthyer pas nga shërimi spitalor, edhe pse repartet infektive janë të mbushura. 

“Nuk ka pacient që është kthyer, nga asnjë institucion shëndetësor, kudo qoftë në shtet, madje edhe këtu në klinika. Është e mundur të ketë pritje më të gjatë, në qoftë se ka turma të pacientëve. Për këtë arsye ne tani do të mundësojmë kapacitete spitalore edhe në Qendrën Klinike edhe në spitalin “8 Shtatori” dhe në të gjitha spitalet në vend”, tha ai. 

Sipas Filipçes, pacientët nuk duhet vetë ta vlerësojnë pasqyrën klinike, por të jenë në komunikim të vazhdueshëm me mjekët amë. Ai insiston që të respektohen protokollet për parandalim të përhapjes së virusit, për të gjitha kategoritë e veprimtarive në ekonomi, arsim, por edhe në nivel individual. Në qoftë se edhe më tej rriten shifrat, masat do të ashpërsohen, siç ndodh në më shumë shtete evropiane.

“Në qoftë se e shohim se këto masa nuk japin rezultate, mbyllja e plotë e objekteve gastronomike, disa orë më herët nga ajo që është tani ose mbyllje e plotë e objekteve ku organizohen ngjarje kulturore, këto janë një pjesë e masave për të cilat mendojmë.” 

Ndërkohë, përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se kanë arritur 3000 teste si pjesë e donacioneve prej 13.000 të tilla. Pjesa e mbetur do të arrijë deri të mërkurën thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Testet e shpejta janë pa pagesë, kurse të njëjtat janë shpërndarë në 13 spitalet e vendit, në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, Spitalin “8 Shtatori”, Institutin për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkulozit– Shkup dhe në Institutin për Sëmundje të Mushkërive tek fëmijët – Kozle.

Në Kuvend këtyre ditëve pritet të votohet ribalanci i propozuar i buxhetit, me çka nga 500 milionë euro të ndara dedikuara për sanimin e pasojave nga epidemia, 40 milionë do të shfrytëzohen për furnizim me 100 mijë teste të shpejta për virusin korona. 

Klan Macedonia