Ekspertët: Teknologjia, ekonomia dhe mjekësia ofrojnë mundësi punësimi

Debora është vetëm një nga maturantët e këtij viti që ende nuk e ka të qartë profesionin e saj të së ardhmes.

Dilemat në këtë fazë janë të mëdha.

“Të them te drejtën degën nuk e kam zgjedhur akoma, jam akoma në dilemë pasi edhe interesa kam disa po edhe tregu i punës këto kohë është pak në lëvizje”, thotë gjimnazistja Debora Mançi.

Mësuesja e ngarkuar për këshillimin e karrierës në gjimnazin ‘Sami Frashëri’tregon se maturantët orientohen drejt gjetjes së një ekuilibri mes pasionit, aftësive dhe kërkesave të tregut të punës.

“Në përgjithësi janë konfuzë, janë në dilema. Ne mundohemi që t’i orientojmë drejt njohjes së vetvetes, që te jëtë një vendim që bazohet sa në aftësi sa në kërkesat e tregut të punës”.

Por ata që ende nuk kanë arritur ta zbulojnë talentin e tyre, eksperti i karrierës dhe punësimit sugjeron profesionet që kërkon sot më së shumti tregu i punës.

“Mund të zgjedhin një degë që i afron më shpejt me mundësitë dhe hapësirat për punë. Kërkesat më të mëdha janë për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, shkencat mjekësore, dhe së treti shkencat ekonomike, çdo biznes ka nevojë për një menaxher, financier, marketier”, deklaron eksperti i karrierës.

“Në momentin e fundit vendosa të vazhdoj në degën e informatikës duke qenë se është një degë e kërkuar”, shprehet një gjimnaziste.

“Përveç pasionit që mund te kem për informatikën ekonomike është dhe tregu i punës patjetër”, thotë një tjetër.

Fushat më të preferuara edhe për këtë vit duket se do të mbeten teknologjia, mjekësia dhe ekonomia.

Tv Klan