Min-Kush në gjuhën e tij do të thotë 1000 zogj. Po sa vetë emri edhe qyteti rural është mjaft i veçantë, i rrethuar nga akullnajat e mbuluara me borë të Azisë Qendrore.

Megjithatë, ky vend idilik fsheh një sekret të errët, tokat dhe uji përreth tij janë të ndotura nga mbetjet bërthamore. Qyteti është vendi i ish-minierave  të përpunimit të uraniumit. Uraniumi e bëri Min-Kush të begatë në kohën e Bashkimit Sovjetik , por tani qyteti është i varfët.

Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe braktisja e uzinës së uraniumit, kanë bërë që numri i popullsisë në Min Kush të bjerë ndjeshëm pasi njerëzit në moshë pune largohen për në kryeqytetin Bishkek ose në Rusi. Dikur numëronte deri në 20,000 por sot qyteti ka më pak se 3,000 banorë. Shumë të rinj largohen sa më shpejt që të munden.

Megjithatë, situata ka filluar të përmirësohet, pasi Bashkimi Evropian po punon së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  dhe partnerë të tjerë për të pastruar mbetjet bërthamore dhe për t’u dhënë mundësi banorëve të mos e braktisin këtë  zonë.

Problemi më i madh është për shkak të Luginës së Ferganës, zemra e sektorit të bujqësisë në Azinë Qendrore.

Megjithatë, digat që mbajnë sasi të mëdha mbetjesh të minierave të uraniumit mbi luginën pjellore të Ferganës në Azinë Qendrore janë të paqëndrueshme, duke rritur rrezikun e një katastrofë të mundshme bërthamore si ajo e Çernobilit.

Digat që mbajnë rreth 700,000 metra kub mbetje të minierave të uraniumit në Kirgistan janë bërë të pasigurta pas rrëshqitjeve të dheut në vitin 2017. Një fenomen i ngjashëm ose tërmet i mundshëm mund t’i dërgojë materialet e rrezikshme në një sistem lumor që përdoret për të ujitur tokat bujqësore në  Kirgistan, Uzbekistan dhe Taxhikistan.

Nëse një skenar i tillë ndodh miliona njerëz në këto tre vende do të zhvendoseshin dhe shumë rajone do të bëheshin të pabanueshme. Në këtë përfundim dalin studimet të cilat janë  pjesë e një projekti nga Komisioni Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të përforcuar digat.

Studimet tregojnë se lloji i mbetjeve nuk mund të ruhet  në mënyrë të sigurt në vendndodhjet e tyre aktuale dhe duhet të largohet nga brigjet e Lumi Mailuu-Suu.

Lugina e Ferganës, ku do të shkonte uji i ndotur, është zona më e dendur e populluar në Azinë Qendrore me 16 milionë njerëz, shumë prej të cilëve merren me kultivimin e pambukut, orizit, drithërave, frutave dhe perimeve.

Islambek Altumyshev, Inxhinier: 23 vendgrumbullime mbetjesh të rrezikshme ndodhen në Mailuu Suu. Vëllimi i tyre i përgjithshëm është rreth katër mijë metër kub. Qyteti i Mailuu Suu mendohet të jetë ndër qytetet më të rrezikshëm në Kirgistan për sa i përket sasisë së mbetjeve të rrezikshme nga Bashkimi Sovjetik.

Por sa diga janë të rrezikuara dhe sa të sigurta.

Islambek Altumyshev: Digat e vendgrumbullimit nr. 5 dhe shtatë janë në gjendje të paqëndrueshme sepse përmbajtja e vendgrumbullimit mbetet në gjendje të lëngshme. Janë të paqëndrueshme sizmikisht dhe në rast të  një tërmeti ose reshjeve  të mëdha të shiut mund të çahet diga ekzistuese.

Studimet kanë treguar se mbetjet në  këto vendgrumbullime janë të lëngshme, duke i bërë ato më të rrezikshme dhe mund të rrjedhin në lumë në rast të një tërmeti të fortë, thotë Sebastian Hess, një inxhinier për një firmë gjermane të kontraktuar nga qeveria e Kirgistanit.

Islambek Altumyshev: Përmbytja e vendgrumbullimit nr. 7 në lumë mund të shkaktojë një katastrofë mjedisore në shkallë të gjerë jo vetëm në qytetin Mailuu Suu por edhe në fqinjin tonë më të afërt  Republikën e Uzbekistanit. Lumi Mailuu Suu derdhet në lumin Kara Darya, i cili rrjedh mbi territorin e Uzbekistanit.

Në bazë të këtij projekti synohet ndërhyrje në digat e dëmtuara.

Islambek Altumyshev: Në kuadrin e këtij projekti 16 vendgrumbullime të mbeturinave supozohet të restaurohen. Katër nga vendgrumbullimet do të zhvendosen në vende të sigurta.

Por kjo nismë po has në rezistencën e banorëve të zonës.

Islambek Altumyshev: Tani po punojmë me banorët e zonës me të cilët kemi një konflikt të vogël.- Banorët e zonës nuk e kuptojnë prioritetin e asaj që po bëjmë. Por ne po u shpjegojmë  se çfarë duhet bërë  dhe shpresojmë të arrijmë të mirëkuptohemi  me ta.

Megjithatë, ka edhe nga ata banorë që e kuptojnë rrezikun e këtyre mbetjeve dhe janë pro ndërhyrjeve në diga.

Toktobek Berdibekov, banor: Gjëja më e rëndësishme për n  është të heqim qafe këto mbetje bërthamore. Është e rrezikshme pa asnjë dyshim. Ne mund ta shohim me sytë tanë se tani është mjaft mirë, por disa vite më parë ishte e pamundur të qëndroje pranë kësaj zone. Tashmë Ministria e Emergjencave e ka rrethuar dhe është ndalur përhapja e materialeve

Themelet e digave u dobësuan nga uji gjatë një rrëshqitjeje dheu të vitit 2017, e cila ngriti nivelin e ujit të lumit, duke e afruar atë me mbetjet, thonë inxhinierët.

Toktobek Berdibekov: Dikur Mailuu Suu ishte një nga qytetet më të mira. Furnizohej si Moska. Si është tani, mund ta shihni me sytë tuaj. Edhe pse ka disa ndërtesa ,njerëzit mendonin se ishte e rrezikshme këtu dhe ishin të frikësuar.

Qeveria e Bishkek vlerëson se 22-25 milionë Euro do të nevojiten për të zhvendosur mbetjet nga dy vendet e pasigurta.

Sebastian Hess, inxhinier gjerman: Këtu kemi vendgrumbullimin nr. 8 dhe atje nr. 18. Mbetjet bërthamore të këtyre vendgrumbullimeve po I lëvizim tashmë në një vend tjetër. Pse po i lëvizim? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Sepse këtu rrjedh një lumë. Ekziston rreziku që në një të ardhme të afërt mbetjet nga këto vendgrumbullime të shkojnë deri tek Lugina e Ferganës.

Zona pranë qytetit të Mailuu-Suu, një nga depozitat më të mëdha të mineralit të uraniumit në botë, u zhvillua nga Bashkimi Sovjetik midis viteve 1940 dhe 1960. Një fabrikë në qytet përpunonte gjithashtu mineral uraniumi nga miniera të tjera aty pranë.

Minierat u mbyllën në vitet 1990, por shumë pak riparime u bënë para ose pas mbylljes së minierave.

Klan News