Kumbaro: Përparësi pyllëzimi i zonave të dëmtuara nga zjarret e shkaktuara

Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve e cila kremtohet më 21 Mars, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mori pjesë në pyllëzimin e 21 hektarëve sipërfaqe pyjore në zonën e Krushovës në bashkinë Korçë, në vazhdim të aktiviteteve të Vitit të Pyjeve. Sipas ministres qëllimi ishte pyllëzimi dhe rigjenerimi i vegjetacionit të dëmtuar nga zjarret e shkaktuara vite më parë.

“Më vjen shumë mirë që ndërhyjmë te kjo pjesë. Bëhet fjalë për një territor i cili është djegur masivisht në 2008-ën. Kështu që kemi ardhur t’i kërkojmë ndjesë natyrës për fatkeqësinë, por nga ana tjetër edhe për t’i dhënë një dorë rigjenerimit natyror”.

Gjatë aktiviteti në zonën e Voskopojës, Kumbaro tha se nismave të ‘Vitit të Pyjeve’ tashmë u janë bashkuar rreth 50 bashki, ndërsa vlerësoi Bashkinë e Korçës si një ndër bashkitë me performancën më të mirë.

Fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1 milionë e 740 mijë (ha), duke përfaqësuar 60,5 % të sipërfaqes gjithsej të vendit.  

Klan News