Mbledhja e qeverisë është fokusuar në një pjesë të mirë të saj në nivelin e import-eksportit të perimeve në vend. Kryeministri Berisha vlerësoi me kënaqësi se janë rritur ndjeshëm eksportet në një kohë kur importet e perimeve kanë pësuar një ulje dramatike, siç dhe vlerësoi ai.

Së bashku me këtë konstatim kryetari i qeverisë i dha porosi të posaçme ministrit të Bujqësisë Gjana të ndihmojë në fuqizimin e sistemit të serave në vend. Numri i të cilave rezulton të jetë pesëfishuar.

Sali Berisha: “Ne duhet të përcaktojmë skemën e një ndihme direkte për çdo dynym serë, duke ndihmuar këto ne kemi nxitur eksportet shqiptare. Këtë vit eksporti i perimeve është dy herë më i madh se vitin e kaluar. Vitin tjetër me ndërtimin e rrugës do të jenë absolutisht tre herë me i madh.”

Qeveria ka marrë vendim dhe mbi çmimin e pronës, një hap që synon të rregullojë tregun për shkak të hartës kaotike të çmimeve në vend. Për këtë kryeministri solli një shembull konkret.

Sali Berisha: “Toka në Kamëz sipas asaj metodike del pesë herë e lirë se toka në Tropojë. Tani të jemi realist tregu i Tiranës me tregun e Tropojës, tregu i Tiranës me tregun e Peshkopisë përsa i përket vlerës së tokës është me dallime shumë të mëdha.”

Qeveria i hapi rrugë dhënies me koncesion për ndërtimin e autostradës Thumanë-Rrogozhinë, jetike për transportin siç tha kryetari i qeverisë. Po kështu kaloi në këshillin e ministrave, ligji për pagat e reja të policisë. një vendim që i jep zgjidhje pagës sipas gradës së punonjësit të rendit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi