Këtë të mërkurë është mbledhur Konferenca e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka bërë kërkesë kryetares së Kuvendit që të fusë në rend të ditës interpelancën me kryeministrin Edi Rama për përfshirjen e vëllait të tij në laboratorin e drogës në Xibrakë.


“Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpelancën me Kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga Kryeministri, për refuzimin e interpelancës. E ke shndërruar republikën parlamentare në republikë kryeministrie. Nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që kryeministri të vendosë arsyet dhe temat e thirrjes në interpelancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese”, i tha ai kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Ndërkohë kjo e fundit është përgjigjur se interpelanca nuk parashikon çështje personale.

Bardhi është kundërpërgjigjur duke u shprehur se çështjet e ngritura prej tij nuk janë personale të kryeministrit.

“Nuk kam interes se si shkon ai me vëllain e tij apo pse i ka vënë mbrojtje nga garda dhe nga kush kërcënohet vëllai për t’u mbrojtur nga oficerët e gardës”, tha ai.

Kundër kërkesës së Bardhit reagoi edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çcuçi, që tha se nuk ka lidhje me veprimtarinë e kryeministrit.

“Këtu jemi në Konferencë Kryetarësh, jo në mbledhje grupi parlamentar apo mbledhje partie. Përgjigjja është e qartë,  s’ka lidhje me objektin e kërkesës për interpelancë që kërkon Bardhi. Nuk mund të jetë çdo tryezë për të thënë çdo gjë që na vjen në mendje. S’ka arsye të zgjatemi në këtë pikë”, deklaroi Çuçi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Kujtojmë që më herët kryeministri e refuzoi kërkesën e Bardhi për interpelancë (Lexo më shumë).

Debat gjatë mbledhjes ka pasur edhe për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Bardhi kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke u shprehur më tej se moszbatimi i tij përbën vepër penale. Sipas tij, socialistët po kërkojnë ta zvarrisin këtë çështje.

Ndërkohë kryeparlamentarja është shprehur se të hënën do të mblidhet Këshilli i Mandateve për të vijuar procedurën për këtë rast./tvklan.al