10 shqiptarë, të akuzuar si anëtarë të dy bandave, të cilët mbushën rrugët e Belgjikës me drogë kanë dalë para gjykatës.

Hetimet për ta nisën në fillim të 2016 -ës, pas ankesave të mbërritura në polici nga banorët e Ghent, për shpërndarje të drogës në rrugët e qytetit.

Hetimet çuan në zbulimin e dy bandave, që operonin në këtë zonë.

Ata e fshinin drogën në makina luksoze, në sende të ndryshme nëpër rrugë, në kuti lulesh dhe në kafene Springs, në zonën e Zuidstationstraat.

Droga fshihej nëpër këto vende në mënyrë që shpërndarësit të mos e mbanin me vete. Kokaina që nuk shitej, fshihej nëpër tualetet e lokaleve, në pritje për t’u shpërndarë sipas kërkesës.

Mediat belge shkruajnë se banda tjetër, e përbërë po nga shqiptarë, operonte nga kafene Number One dhe përgjatë rrugës ku ndodhej.

Të dyja këto banda ishin të mirëorganizuara. Banda e Springs ishte shumë më e madhe dhe kishte një rreze më të madhe veprimi në Ghent.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të enjten, u zbulua se policia kishte kryer plot 2,600 orë hetime për rastin në fjalë. Fakti se çështja kishte kaluar nga lokale në federale, bëri që agjentët e Dendermonde të operonin edhe në Ghent.

Policia arriti në zbulimin e këtyre bandave falë përgjimit të telefonatave nga dy telefona celularë të dy prostitutave, që përdoreshin për porosi.

“Kështu, arritëm të zbulonim se kush e shiste drogën dhe çfarë kodesh përdornin për të komunikuar. Kërkonin gjithnjë për X numër minutash dhe X ishte për sasinë e drogës së kërkuar. Në total u zbuluan 43 numra telefoni”,

tha akuza përpara gjykatës.

Anëtarët e bandë së kafe Springs, fshiheshin nëpër shtëpi të sigurta, të cilat merreshin me qira për një periudhë të caktuar kohe dhe paguheshin me para në dorë.

Ata u arrestuan nga policia në fund të Tetorit 2016 -të, në vende të ndryshme.

Të arrestuarit rrezikojnë deri në 5 vjet burg dhe mbi 15 mijë euro gjobë.

Fitimet e grumbulluara nga shitja e drogës përllogaritet se kapin vlerën e mbi 500 mijë eurove.

Sipas akuzës belge, 10 të pandehurit kishin shkuar në Ghent me qëllimin e vetëm për të shitur drogë.

Vendimi për ta pritet të jepet më 27 Shtator./tvklan.al