Gjykata e Apelit e Barit ka dënuar me 29 vjet burg Giuseppe Difonzon pasi ai u shpall fajtor për vrasjen vullnetare të vajzës së tij Emanuela, e cila ndërroi jetë si pasojë e mbytjes në spital natën midis 12 dhe 13 Shkurtit 2016, kur e vogla ishte vetëm 3-muajshe.

Sipas hetimeve, i akuzuari 36-vjeçar ka mbytur vajzën e tij kur ajo ishte e shtruar në spitalin e Barit. E vogla ishte vetëm 67 ditëshe dhe brenda kësaj kohe, ajo kishte përfunduar dhe më përpara në spital për shkak të krizave respiratore, të cilat sipas prokurorisë janë shkaktuar nga babai i saj. Në fakt, Difonzo dyshohet se u përpoq ta vriste në shtëpi vajzën e tij në të paktën dy raste të tjera.

“La Repubblica” raporton se 36-vjeçari vuan nga sindroma “Munchausen”, një patologji psikiatrike që e bën atë të tërheqë vëmendjen ndaj vetes duke dëmtuar të tjerët. Emërtimi i kësaj sindrome ka ardhur pasi një aristokrat gjerman, Baron Munchausen, u bë i njohur për rrëfimin e historive dhe aventurave, në të cilat ai pretendonte se kishte marrë pjesë si protagonist.

Vite më parë, Difonzo ishte dënuar në Shkallë të Parë me 16 vjet burgim me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, një hipotezë e riklasifikuar në Shtator 2020 nga gjyqtarët e Apelit si vrasje vullnetare me paramendim: burgim të përjetshëm. Megjithatë, në Mars 2022, Gjykata e Lartë e anuloi atë denim, u hap një proces i ri ankimimi, i cili përfundoi me një vendim të ri fajësie që dënoi 36-vjeçarin me 29 vjet burg./tvklan.al