Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës pasi udhëtonin me taksi dhe njëri prej tyre ishte i armatosur me kallashnikov.

Uniformat blu kishin marrë informacione në rrugë operative dhe ndaluan taksinë në lagjen “1 Maji”. Forcat “Shqiponja” arrestuan 43-vjeçarin Klajdi Basha, pasi ishte i armatosur me një kallashikov dhe municione luftarake.

Policia arrestoi edhe dy personat e tjerë që udhëtonin me të, Daniel Bako 34 vjeç dhe Klaudjo Misri 28 vjeç, të akuzuar për moskallëzim krimi pasi kishin dijeni se 43-vjeçari posedonte armë.

Policia thotë se këta persona janë me precedent të mëparshëm penal. Klajdi Basha ka qenë i dënuar në Itali për organizatë kriminale në fushën e prostitucionit, Klaudjo Misri ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge dhe Daniel Bako ka qenë i dënuar për vjedhje në vendin tonë.

Autoritetet vijojnë ende punën për zbardhjen e qëllimit që kishte personi që qarkullonte me armë zjarri me vete. /tvklan.al