Një 43 – vjeçar nga Tirana është në kërkim nga policia, pasi kjo e fundit zbuloi një skemë mashtrimi me automjete.

I identifikuar vetëm me inicialet A.B, 43 – vjeçari kishte krijuar një “biznes” të vërtetë me automjetet që ua merrte me qera kompanive të ndryshme, e më pas i shiste ose i linte peng për të përftuar shuma të ndryshme parash.

Në njoftimin e saj zyrtar, policia sqaron se 43 – vjeçari, i cili mbetet në arrati rezulton i dënuar 3 herë të tjera, po për mashtrim.

Në këtë operacion, të koduar “Rent a car” (merr me qera një makinë), u procedua gjithashtu në gjendje të lirë 41 – vjeçari P. C, edhe ky i dënuar me parë për vepra të ndryshme penale.

Por si u zbulua kjo skemë mashtrimi?

Gjithçka, sipas policisë, nisi pas një kallëzimi të bërë nga O. Xh., përfaqësues i një kompanie për dhënien e automjeteve me qera, i cili deklaroi se A. B kishte marrë 5 automjete me qera dhe nuk i kishte kthyer më ato.

“Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik, kanë arritur të dokumentojnë me prova ligjore, se shtetasi A. B., merrte automjete me qera në kompani të ndryshme dhe më pas i shiste ato me çmim më të lirë se ai i tregut në persona të tretë ose i linte në individë të ndryshëm me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare (peng)”,

sqarohet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Gjithashtu, rezulton se 41 – vjeçari P. C., i cili po procedohet në gjendje të lirë, jepte shuma të ndryshme monetare me qëllim përfitimi, ku personave të cilët i kërkonin shumat monetare, për garanci u mbante automjetet apo sende të tjera me vlera të larta monetare.

Gjatë operacionit, në garazhin dhe në pjesën e oborrit të banesës së tij u gjetën 22 automjete, 3 prej të cilave të marra me qera nga A. B, pranë një shoqërie për dhënie mjetesh me qera.

Kështu, në përfundim policia sekuestroi:

7 automjete të markës “Audi”, 5 automjete të markës “Mercedes Benz”, 2 automjete të markës “Ford”, 2 automjete të markës “Volkswagen”, 2 automjete të markës “Peugeot”, 1 automjet i markës “Land Rover”, 1 automjet i markës “BMW”, 1 automjet i markës “Fiat”, 1 automjet i markës “Porsche”

./tvklan.al