Ati i Shenjtë thirrje për liderët e Ballkanit: Dallimet etnike, jo shkak për përçarje

Nga Bazilika e Shën Pjetrit në Romë, para 45 mijë besimtarëve, Papa Françesku mbajti meshën e shenjtë të Pashkës Katolike.

87-vjeçari arriti në meshë me një karrige me rrota, ku në një predikim 10-minutësh në italisht, Papa dënoi “muret e egoizmit dhe indiferencës” në botë.

Në fjalimin tradicional, i njohur me emrin e tij latin, “Urbi et Orbi” para besimtarëve, Papa bëri thirrje për paqe dhe dashuri mes popujve e kombeve, me një thirrje të veçantë për të ndalur erërat e luftës në Evropë dhe Mesdhe.

“Sa vuajtje shohim në sytë e fëmijëve. Fëmijët në ato vende luftarake harruan të buzëqeshnin. Me vështrimin e tyre na pyesin: pse? Pse kaq shumë vdekje? Pse kaq shumë shkatërrim? Lufta është gjithmonë një absurditet dhe një disfatë! Le të mos lejojmë që erërat më të forta të luftës të fryjnë mbi Evropë dhe Mesdhe. Mos iu dorëzoni logjikës së armëve dhe riarmatimit. Paqja nuk ndërtohet kurrë me armë, por duke zgjatur duart dhe duke hapur zemrat.”

Mes të tjerash Ati i Shenjtë bëri thirrje për respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, një shkëmbim të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës. Në këtë mesazh Ati i Shenjtë kërkoi të garantohet lirimi i shpejtë i pengjeve të rrëmbyer dhe një armëpushim i menjëhershëm që do të garantonte edhe ndihmat në enklavën e shkatërruar.

Papa përmendi gjithashtu rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe inkurajoi diskutimet që po zhvillohen me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

“Thirrja ime vjen edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku po ndërmerren hapa të rëndësishëm drejt integrimit në projektin evropian, ku dallimet etnike, kulturore dhe konfesionale nuk duhet të jenë shkak përçarjeje, por të bëhen burim pasurie për të gjithë Evropën dhe për të gjithë botën.”

Ati i Shenjtë kujtoi Sirinë, e cila, siç tha ai, ka vuajtur për katërmbëdhjetë vjet nga pasojat e një lufte “të gjatë dhe shkatërruese si dhe Libanin teksa po përballet me ngërç institucional dhe një krizë të thelluar ekonomike dhe sociale, tashmë të rënduar nga lufta në kufirin e tij me Izraelin.

Papa u bëri thirrje të gjithëve që kanë përgjegjësi politike që të mos kursejnë përpjekjet për të luftuar plagën e trafikimit të qenieve njerëzore, duke punuar pa u lodhur për të çmontuar rrjetet e shfrytëzimit dhe për të sjellë liri për ata që janë viktimat e tyre.

Klan News