Një gjë është e sigurt. Lionel Messi nuk do të firmosë kontratën të paktën edhe për disa ditë. Mediat spanjolle, raportojnë se argjentinasi e ka marrë me qetësi pasi e di që klubi i Barcelonës ka disa prioritete të tjera për momentin. Fjala është për dy blerje dhe disa largime. Tashmë dihet që autoriteti i Messit në klub arrin deri aty sa të ndikojë deri në afrimin apo largimin e futbollistëve.

Argjentinasi edhe e ka shprehur se është shumë i rëndësishëm projekti sportiv që mund të ofrojë klubi. Në këtë moment, projekti i sezonit të ri ende nuk ka përfunduar. Këtë e di edhe klubi që po interesohet të përforcojë ekipin me futbollistë të tjerë dhe nuk do të përshpejtojë firmën e Messit.

Kjo solli edhe thashethemet mediatike se mund të ketë një ofertë nga Manchester City për yllin e Barcelonës. Pep Guardiola tha një ditë më parë se nëse një klub i ka paratë dhe dëshiron t’i shpenzojë mund edhe të paguajë për Messin. Kjo u duk si një kërkesë nga zyrtarëve të Manchester City që të interesohen për një marrëveshje të mundshme me Barcelonën. Sipas mediave spanjolle zyrtarizimi  i kontratës Messi – Barcelona nuk do të vijë pa përfunduar merkato e verës, dhe për këtë duket se është rënë dakord më parë./Tv Klan