VMRO-DPMNE ka kredibilitetin më të madh që të luftojë për përbërje të qeverisë së re

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sot në konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve të parakohshme të djeshme parlamentare, tha se partia opozitare e ka kredibilitetin më të madh të luftojë për përbërje të Qeverisë së re. VMRO-DPMNE-ja, sipas tij, ka më shumë vota se LSDM-ja, pa Lëvizjen Besa, me të cilën është në koalicion. Dallimi në vota, sipas Mickoskit, është diku rreth dhjetë mijë.

“Është me rëndësi që në Maqedoni disponimi është opozitar, ndërsa rezultatet tregojnë se opozita fitoi më shumë vota se pushteti, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, pa Lëvizjen Besa në radhët e LSDM-së fitoi më shumë mandate të deputetëve. VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni ‘Për ripërtëritje të Maqedonisë’ fituan në 41 komuna”, tha Mickoski.

Ai i përmendi Shkupin, Gjorçe Petrovin, Butelin, Gazi Babën, Kisela Vodën, Sopishten, Petrovecin, Ilindenin, Makedonski Brodin, Velesin, Kratovën, Sveti Nikollën, Shtipin, Negotinën, Prilepin, Strugën dhe disa vende tjera.

“Ky rezultat është arritur në disa rrethana të vështira, presione të fuqishme dhe shumë parregullsi. Pushteti zbatoi rryshfet masiv. Sot ueb-faqja e KSHZ-së nuk punon, ndërsa marrim informata të ndryshme se në mënyrë të dyshimtë janë numëruar të dhënat”, tha Mickoski, duke shtuar se me këtë kanë luftuar gjatë tërë fushatës.

E gjitha kjo, siç tha, i jep të drejtë se VMRO-DPMNE-ja e ka kredibilitetin më të madh që të luftojë për përbërje të qeverisë së re, e cila duhet të ballafaqohet në sfida serioze.

“Unë jam optimist, pasi paraqitem në mënyrë të ndershme dhe parimore. Alternativa e tërë kësaj është Zaevi dhe vazhdimi i agonisë”, tha Mickoski./MIA