Një grup mjekësh nga Italia pritet të kryejnë ekspertizën e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu. Akti i ekspertizës do të bëhet për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së të miturit, i cili vdiq pas ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën e mjekut Roland Xhaxho.

Vendimi për të kryer ekspertizën nga mjekë të huaj u kërkua nga prokurorja Alma Felaj, pas përplasjes mes Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë së Tiranës. Kjo e fundit konstatoi se akti i parë i ekspertizës që përcaktoi shkakun e vdekjes së 3-vjecarit mbidozën e narkozës që shkaktoi mos funksionim të organeve, ishte i paplotë dhe konkluzioni i pasaktë dhe për këtë arsye prokuroria kërkoi riekspertizë.

Kjo sipas institucionit të akuzës pasi mungojnë ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për pikëpyetjet e ngritura. Një tjetër arsye që u kërkua riekspertizë ishte dhe fakti që sipas prokurorisë mjekët specialistë janë në konflikt interesi me personat nën hetim, përfshirë mjekun Roland Xhaxho.

Nga ana tjetër sipas mjekësisë ligjore janë kryer si duhet procedurat për caktimin e shkakut të vdekjes. Sipas IML-së krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të IML-së, të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike.

Për vdekjen e 3-vjeçarit, i cili humbi jetën në pediatrinë e QSUT-së në 1 tetor të vitit të shkuar, janë nën hetim babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho. Të dy akuzohen për veprën penale të neglizhencës në trajtim mjekësor, që konsiderohet si kundravajtje penale.

Klan News