Presidentja në largim Atifete Jahjaga është pritur në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, për të diskutuar zhvillimet në Kosovë dhe përpjekjet e Kosovës për t’i thelluar reformat politike dhe ekonomike në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Jahjaga ka falënderuar zyrtaren e BE-së për mbështetjen, angazhimin e saj dhe të Bashkimit Evropian për forcimin e perspektivës evropiane të Kosovës me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila tashmë ka hyrë në fuqi.

Po ashtu udhëheqësja kosovare e theksoi nevojën që perspektiva e integrimit evropian të forcohet edhe më tutje me Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit, si agjendë e cila siguron thellimin e reformave të brendshme në secilin vend dhe nxitë përmirësimin e marrëdhënieve për fqinjësi të mirë.

Jahjaga theksoi se Kosova  mbetet e përkushtuar për vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, si rrugë e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon dhe për të përshpejtuar integrimet euroatlantike të të dyja vendeve.

E para e shtetit të Kosovës gjithashtu theksoi nevojën që ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përqendrohet në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel duke kushtëzuar përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në BE, raporton Klan Kosova./tvklan.al