Sikur të mos mjaftonte situata brenda fushave të lojës, Elseid Hysaj po kalon një moment negativ edhe jashtë saj. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka parë tmerr me sy, pasi makina tip Ferrari e tij mori flakë papritur.

Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, Futbollisti i Lazios dhe vjehrri i tij u bllokuan brenda mjetit gjatë momentit kur ajo u përfshi nga flakët, teksa jashtë saj gjendej bashkëshortja e shkodranit.

Për disa çaste, Hysaj dhe vjehrri i tij nuk po arrinin të dilnin, pasi dyert u mbyllën në mënyrë automatike. Por, për fat të mirë kjo ngjarje kaloi pa pasoja për mbrojtësin, teksa makina u shkrumbua totalisht. Në prononcimin për mediat italiane, Hysaj ka pranuar se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një difekt i fabrikës në momentin e prodhimit.

Kosto e mjetit të shkodranit kap vlerën e 160 mijë Eurove, por për fatin e mirë pa pasoja për 30-vjeçarin. Elseid Hysaj është stërvitur normalisht me skuadrën italiane që prej kësaj ngjarjeje, me të cilët ka një kontratë deri në verën e vitit 2025.

Klan News