Deklarata kontradiktore?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka paralajmëruar përmes një interviste të Shtunën se janë ca “vija të kuqe” që Izraeli nuk duhet t’i kalojë në Gaza. Sipas tij sulmet ajrore në qytetin e Rafah janë të papranueshme prej kryeministrit Benjamin Netanyahu, por nga ana tjetër theksoi se “nuk do heqë kurrë dorë nga Izraeli”. “Nuk mund të kemi 30 mijë palestinezë të tjerë të vdekur”, theksoi ai.

Duke u treguar kritik ndaj kryeministrit izraelit ai tha se “Netanyahu po e dëmton më shumë se sa po e ndihmon vendin e tij” dhe se “duhet të ketë kujdes me prekjen e jetëve të pafajshme në Gaza”.

Ndërsa Biden e ka mbështetur fuqishëm Izraelin në fushatën e tij për të shkatërruar Hamasin, administrata e tij ka qenë gjithnjë e më shumë në mosmarrëveshje me Netanyahun mbi shkallën e viktimave civile në Gaza dhe kufizimet për ndihmën humanitare. Administrata e Bidenit i ka kërkuar vazhdimisht Netanyahut që të mos nisë një ofensivë të planifikuar në Rafah derisa Izraeli të sigurojë evakuimin e sigurt të rreth 1.3 milionë palestinezëve të strehuar në qytet.

Madje të Enjten, kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi planet për të ndërtuar një port të përkohshëm në Gaza që lejon dërgimin e ndihmave nga deti. Muajin e kaluar ai shpresoi se Izraeli e Hamasi do arrinin dakordësi për një armëpushim para muajit të shenjtë të Ramazanit, por gjithçka u zbeh kur përfaqësuesit e palëve u larguan nga Kajro pa asnjë marrëveshje.

Ditën e djeshme ai theksoi po ashtu se drejtori i CIA-s Bill Burns po punon për të lehtësuar negociatat, me homologun e tij nga Agjencia e Inteligjencës Izraelite Mossad.

Por a nuk ka dy standarde në të gjitha qëndrimet e Biden? Mbështetja e SHBA-së për Izraelin kundër Hamasit mund të konsiderohet e drejtë, por për aq kohë sa ekziston “një luftë” e tillë. Deri më tani raportohen vetëm jetë të humbura të civilëve në Gaza, të cilët nuk mund të justifikohen në asnjë lloj mënyre./tvklan.al