mars

Prej kohësh, shkencëtarët e Agjencisë Hapësinore Amerikane NASA janë të bindur se në planetin Mars ka ujë në gjendje të ngrirë për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulta.

Por nga të dhënat e grumbulluara së fundi nga sonda Curiosity arrihet në përfundimin se nën sipërfaqen e planetit të kuq mund të ketë ujë të lëngshëm.

Në një studim të publikuar në revistën shkencore “Nature” rezulton se sonda Curiosity ka zbuluar në kraterin Gale, praninë e perkloratit të kalçiumit, një përbërje kimike kripe që absorbon sasi të mëdha uji.

Shkencatarët thonë se mbi sipërfaqen e Marsit ka avuj uji, që kur bie nata kondensohen. Për shkak të temperaturave shumë të ulta që arrijnë në minus 70 gradë, uji bie i akullt mbi sipërfaqe.

Perklorati i kalçiumit, që përdoret edhe për shkrirjen e dëborës në rrugët e bllokuara, shkakton të njëjtin efekt edhe në Mars.

Megjitathë, mundësia e ekzistencës së jetës mikrobiale në temperatura të tilla të ulta është jashtëzakonisht e ulët. Një tjetër sfidë për jetën mikrobiale është edhe rrezatimi kozmik, që godet drejtpërdrejtë mjedisin ku ka prani uji.

Sonda Curiosity ndodhet në Mars prej vitit 2012 dhe ka bërë zbulime të rëndësishme, duke gjetur edhe evidenca akulli, apo shtrate lumenjsh të tharë dhe që sipas shkencëtarëve kanë ekzistuar rreth 4.5 mld vite më parë.

Tv Klan