Në ditën e Festës së Ullirit, Bashkia e Durrësit organizoi dje një sërë aktivitetesh. Me këtë rast kryebashkiaku i Durrësit Lefter Koka mbolli në shëtitoren “Taulantia” një fidan ulliri, simbol ky i paqes. Në këtë ditë bashkia e qytetit nderoi me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit” një sërë biznesmenësh.

Ndër miqtë e nderuar me këtë titull ishin drejtusit e kompanive celulare AMC dhe Vodafone, të Bankës Amerikane, të Bankës Italo-Shqiptare etj. Me këtë rast ishte organizuar dhe një koncert me këngëtarë të njohur: Manjola Nallbani, Kastriot Tusha dhe Eranda Libohova.

Lordi Rothchild, themeluesi i fondacionit “Butrinti” nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Sarandës. Në një ceremoni të organizuar në hotel “Butrinti” në Sarandë, kryeministri Nano i ka dorëzuar këtë titull lordit Rothchild për kontributin e tij 12-vjeçar në mirëmbajtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Po në këtë ceremoni, në emër të Presidentit Moisiu, ministri i Kulturës Blendi Klosi i ka dorëzuar titullin “Naim Frashëri” klasit të parë ish-drejtorit të fondacionit “Butrinti”, financues kryesor i misionit arkeologjik Shqipëri-Angli. /tvklan.al