Pas një jete të vrullshme profesionale, ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare Thanas Nano, themeluesi i ekranit të vogël, si dhe drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptarë. Për rreth 3 orë në hyrjen kryesore të televizionit që drejtojë për vite me radhë, u zhvilluan homazhe për nderë të tij. Familjarë mes tyre i biri, ish-kryeministri Fatos Nano, kanë pritur ngushëllime nga bashkëpunëtorë të hershëm të Thanas Nanos, njeriu që i përkushtohej punës shumë vite të jetës së tij.

Nuk munguan politikan dhe njerëz të medias, diplomat dhe artistë. Mes tyre kryetari i PS Edi Rama, kryetari i LSI Ilir Meta, kryetari i PR Fatmir Mediu, ish-presidenti Alfred Moisiu si dhe shumë personalitete të jetës publike. Thanas Nano, ishte pa dyshim një nga njerëzit që bëri historinë e transmetuesit të vetëm publik.

Agron Çobani: “Ishte një nga profesionistët më të zotët të shtypit apo të medias siç quhet sot. Mendoj se Thanas Nano, vazhdojë punën e Gjergj Bubanit edhe të Petro Kitës dy njerëz të shquar të Radio Tiranës si drejtor i saj, por jam i bindur se themeloi radion moderne shqiptare. Ishte njeri kërkues, herë, herë i ashpër, por gjithsesi i drejtë”.

Thanas Nano, lindi në vitin 1916. Pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, do të kujtohet si një ndër themeluesit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Më pas do të drejtonte Radio Tiranën për vite me radhë do të vihej në krye të RTSH./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi