eurogrupi

Afati për të zgjatur planin e shpëtimit për Greqinë përfundoi. Kësti prej 1.8 miliardë eurosh nga Fondi Europian i Stabilitetit Financiar nuk do t’i lëvrohet Greqisë bashkë me 10.9 miliardë euro që ishin parashikuar për rikapitalizimin e mundshëm të bankave greke.

Një një deklaratë të kreut të këtij fondi, Klaus Regling, thuhet se “Është për të ardhur keq për Greqinë se programi i EFSF përfundon sonte, pa patur një rregullim të mëtejshëm, ndërsa rezultatet pozitive të programit tashmë vihen në rrezik”.

Ministri grek i Financave Janis Varufaqis tha pak orë para skadimit të afatit se Greqia nuk do të shlyente huanë prej 1.6 miliardë eurosh ndaj FMN-së.

Pa zgjidhje përfundoi edhe takimi i Ministrave të Financave të Eurozonës, mbrëmjen e së martës.

Shefi i Eurogrupit, Jeroen Dajzebllum tha se propozimi i ri i kryeministrit grek Aleksis Cipras për zgjatjen e palnit të shpëtimit për dy vjet, do të diskutohet të mërkurën, por kushtet për një plan të ri- tha ai- do të jenë më të ashpra.

Athina kërkoi 29.1 miliardë euro nga Mekanizmi i Stabilitetit Europian EMS. Dajzebllum tha se Athina duhet të ndryshojë qëndrimin e saj  ndaj kreditorëve, përpara se këta të marrin në konsideratë masa financiare shtesë.

Qeveria greke i kërkoi më shumë kohë FMN – së për shlyerjen e huasë, ndërsa Bankës Qendrore Europiane të ndihmojë me likuiditete emergjente greke.

Më herët, Kancelarja gjermane Merkel duket se i ka ngritur një mur zgjidhjeve të momentit.

“Berlini nuk do të marrë një konsideratë hipotezën e një plani të tretë shpëtimi për Greqinë, sic është propozuar nga Athina, përpara rezultatit të referendumit të së dielës – tha ajo”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje ministrave europianë të Financave të gjejnë një kompromis pragmatik, për të ndaluar shndërrimin e krizës greke në një krizë financiare.

Të martën në mbrëmje, në Athina ka patur protesta të mijëra personave, të ndarë në kampet e Po-së, pro ndihmës së kreditoreve dhe Jo-së, në mbështetje të Qeverisë së Cipras.

Qytetarët grekë kane qëndruar në rradhë për orë të tërë pranë bankomatëve për të tërhequr kuotën e caktuar ditore prej 60 eurosh.

Mbi 1000 degë të bankave do të rihapen të mërkurën, për tu lejuar pensionistët, të cilët nuk përdorin karta, të tërheqin deri në 120 Euro.

Të hënën, Cipras u bëri thirrje grekëve të kundërshtonin propozimet e kreditorëve, me argumentin se Jo- ja në fletën e referendumit do t’i jepte Greqisë, armë më të forta në negociata. Nëse rezultati i referendumit do të ishte ndryshe, ai la të kuptohet se do të japë dorëheqjen.

Tv Klan