Një tren i linjës Beograd – Mitrovicë, me shkrime nacionaliste si “Kosova është Serbi”, u drejtua këtë shtunë drejt Mitrovicës.

Autoritetet kosovare u vunë menjëherë në alarm. Presidenti Hashim Thaçi urdhëroi Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të ndalojnë mjetin të hyjë në territorin e Kosovës.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Thaçi shkruajti se,

 “Kosova e respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Një njësi e Forcave Speciale të Policisë u vendos në pikën hyrëse të territorit kosovar.

Pas ultimatumit nga Prishtina për ndaljen e trenit, në mediat serbe u raportua se ai nuk do të hyjë në Kosovë, por do të kthehet sërish në Beograd, pasi autoritetet serbe kishin të dhëna se ishte vendosur eksploziv në shina.

Ngjarja provokuese, që tensionon më tej marrëdhëniet e brishta Prishtinë – Beograd, vjen disa ditë pas arrestimit të ish – Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Tv Klan