Edmir Nilaj, një i ri i cili prej 4 muajsh ndodhej i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë ka ndërruar jetë. 21-vjeçari nga Malësia e Madhe ndodhej në spital që prej 3 Shtatorit të vitit që lamë pas, pasi u plagos me armë zjarri në kokë nga Admir Dekovi.

Edmir Nilaj

Ky i fundit, një 35-vjeçar i cili dikur kishte shërbyer si efektiv i forcave komando, vijon të jetë në arrati.

Orët e para të 3 Shtatorit, Edmir Nilaj ndodhej në një lokal me muzikë në Beltojë të Shkodrës, në shoqërinë e disa miqve të tij.

Një telefon i humbur u bë shkak për një konflikti të nisur brenda ambienteve të lokalit me disa persona të ulur në tavolinën ngjitur. Por zënka nuk u ndal aty dhe vijoi edhe jashtë ambienteve të lokalit.

Admir Dekovi

Pikërisht në këtë moment, 35-vjeçari Dekovi, i cili punonte si truprojë në lokalin e natës ndërhyri duke e goditur fillimisht të riun me qytën e armës, e më pas me një plumb në kokë.

Që prej asaj kohe, Nilaj ndodhej i shtruar në spital, ku dhe fatkeqësisht humbi betejën me vdekjen duke ndërruar jetë. Për ngjarjen u arrestuan disa persona për moskallëzim krimi, ndërsa autori i saj arriti të largohej. 

Vendi ku ndodhi ngjarja

Para oficerëve të policisë, 4 të arrestuarit deklaruan se debati kishte nisur pasi Nilaj i kishte akuzuar se i kishin marrë celularin, ndërkohë që sipas tyre kjo nuk ishte e vërtetë.

“Ne i thamë se nuk kemi asnjë ide për celularin dhe më pas dolëm jashtë për t’u sqaruar. Në tavolinën tonë erdhi edhe truproja i lokalit. Vetëm kaq mbajmë mend sepse kemi qenë në gjendje të dehur. Jashtë ka qenë shumë errësirë dhe nuk mbajmë mend me saktësi se çfarë ka ndodhur. Më pas kemi mësuar se Edmir Nilaj është plagosur rëndë”, 

deklaruan në atë kohë të arrestuarit.

/tvklan.al